Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan pak minuta më parë pranë ndërtesave qeveritare në qendër të Kievit, tha një dëshmitar okular për Reuters.

Në të njëjtën zonë po vijojnë edhe granatimet. Forcat ruse kanë përparuar shumë dhe po sulmojnë nga pjesë të ndryshme pasi më herët morën kontrollin e Çernobilit, vetëm 70 km larg Kievit.

Të shtëna me armë zjarri, shpërthime dhe përleshje po vazhdojnë edhe në pjesë të tjera të qytetit prej disa orësh, njoftoi Interfax.

Administrata shtetërore e qytetit të Kievit raporton se një tjetër alarm ajror është shpallur në kryeqytet.

“Një tjetër alarm ajror është shpallur në Kiev! I kërkojmë të gjithëve të shkojnë menjëherë në strehimoren e mbrojtjes civile”, tha shërbimi për shtyp i administratës së qytetit.

Trupat ruse u përpoqën të merrnin kryeqytetin ukrainas Kiev edhe natën nga e premtja në të shtunën – siç njoftoi Presidenti Zelensky.

Kryeqyteti është nën sulm nga anë të ndryshme, megjithëse fokusi duket të jetë në një operacion ajror pranë një aeroporti në jug të Kievit, bëri të ditur AP.

Qyteti jugor i Melitopolit tashmë është marrë, sipas rusëve, megjithëse ukrainasit e mohojnë këtë.

Ministria e Brendshme e Ukrainës paralajmëroi qytetarët para pak çastesh se në rrugët e Kievit po zhvillohen “përleshje”. “Luftë aktive në rrugët e qytetit tonë. Ju lutemi ruani qetësinë dhe jini sa më të kujdesshëm!

Nëse jeni në bunkerë, ju lutemi mos dilni që aty. Kur jeni në shtëpi, mos iu afroni dritareve dhe as ballkonëve.

Fshihuni brenda, për shembull në banjë, dhe mbulohuni me diçka për t’u mbrojtur nga goditjet e plumbave. Nëse dëgjoni sirena, shkoni në bunkerin më të afërt!”