Policia ka reaguar pas lajmit të dhunimit të guzhinierit të njohur Indrit Çela. Ajo thotë se autorë janë 2 vëllezër, njëri prej të cilëve është kapur ndërsa tjetri është në kërkim. 

Sipas policisë mes kuzhinierit dhe vëllezërve ka pasur konflikte të mëparshme.

Njoftimi i policisë: 

Strukturat Hetimore të Komisariatit të Policisë Krujë, pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku dy shtetas kishin dhunuar fizikisht shtetasin I. Ç., i cili ka deklaruar se nuk i kishte njohur, si pasojë e errësirës, kanë organizuar punën, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, paraditen e sotme, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, ku ka rezultuar se:

Shtetasit E. L., dhe D. L., vëllezër, banues në fshatin Derven, rreth orës 18:30, në aksin rrugor Fushë Krujë – Rinas, në vendin e quajtur “Ura e Gjoles”, me automjetin e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit, me të cilin udhetonte shtetasi I. Ç., 39 vjeç, dhe e kanë goditur këtë të fundit me sende të forta duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike, i cili ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.

Shtetasi E. L., është arrestuar mbrëmjen e djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Derveni”, ndërsa vëllai i tij shtetasi D. L., është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultat se mes shtetasve I. Ç., dhe vëllezërve E. L., e D. L., ka pasur konflikte të mëparshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosje e rënde me dashje”, e kryer ne bashkëpunim.