UEFA ka marrë propozimet përkatëse të vendeve që duan të presin edicionet 2028 dhe 2032 të Kampionatit Europian. Katër organizatorë të mundshëm janë ofruar deri në afatin e fundit, që ishte 23 marsi.

Federatat e futbollit të Anglisë, Irlandës së Veriut, Republikës së Irlandës, Skocisë dhe Uellsit kanë dorëzuar një propozim të përbashkët interesi për “Euro 2028”.

Rusia dhe Turqia, nga ana e tyre, deklaruan interesin për të pritur “Euro 2028” ose “Euro 2032”, ndërsa Italia njoftoi synimin e saj për të paraqitur një ofertë për “Euro 2032”. Caktimi i nikoqirëve të këtyre dy Kampionateve Europiane do të bëhet në shtator 2023.

Kërkesa e Rusisë është shumë e habitshme në kontekstin aktual, e pezulluar nga të gjitha garat ndërkombëtare për shkak të pushtimit të Ukrainës. UEFA analizon gjithçka në detaje, por në lidhje me këtë kërkesë thekson:

“Byroja e Këshillit të FIFA-s dhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosën më 28 shkurt të pezullojnë të gjitha ekipet ruse, qofshin ato kombëtare apo në rang klubesh, deri në një njoftim tjetër.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të qëndrojë në gatishmëri për të thirrur mbledhje të tjera të jashtëzakonshme, në baza të rregullta dhe të vazhdueshme, kur është e nevojshme, përveç takimeve të planifikuara tashmë për 7 prill dhe 10 maj.

Aty do të diskutohet edhe interesi i shprehur i Federatës Ruse të Futbollit për të pritur Kampionatin Evropian”.