Shtëpia shumë milionëshe e David dhe Victoria Beckham u thye dhe u bastis, ndërsa ata ishin në gjumë në katin e sipërm. Çifti dhe vajza Harper, 10 vjeçe, thuhet se nuk ishin në dijeni se një hajdut kishte hyrë në shtëpinë e tyre në “Holland Park”, Londra Perëndimore.

Vjedhja u zbulua nga djali i tyre, Cruz, kur u kthye nga lokali i natës, ku kishte festuar me miqtë. Ai vuri re se një dhomë gjumi rezervë ishte plaçkitur, me xhamin e dritares së thyer dhe të copëzuar në dysheme. Kështu bën me dije “The Sun”.

Beckham dhe Cruz kontrolluan shtëpinë pasi konstatuan grabitjen, ndërsa prisnin që policia të mbërrinte. Policia Metropolitane konfirmoi se ishin thirrur në pronë në orën 00:37 të mëngjesit së 1 marsit dhe besonin se vjedhja kishte ndodhur midis orës 20:30 dhe 23:30.

Asnjë arrestim nuk është bërë, teksa hetimet vazhdojnë, thanë burime policore. Një burim i tha “The Sun”: “Mjerisht, Beckham-ët ishin viktima të disa hajdutëve mjaft profesionistë, që kanë vepruar në zonë.

Për fat të mirë, grabitësit arritën vetëm deri në një dhomë gjumi para se të iknin. Siguria në shtëpi është shumë e madhe, si fizikisht ashtu edhe teknikisht. Asnjë nga sendet që u vodhën, që besohet se ishin mijëra paundësh, nuk kishin vlerë sentimentale”.

Kjo grabitje ndodhi disa javë para martesës së fëmijës së tyre të madh, Brooklyn, me vajzën e miliarderit dhe aktoren Nicola Peltz.