Është zyrtare. Manchester United njoftoi nënshkrimin e Erik ten Hag për sezonin e ardhshëm. Trajneri holandez do të largohet nga Ajax dhe do të marrë frenat e “djajve të kuq” në korrik. Kontrata e tij do të zgjasë deri në vitin 2025, me mundësi vazhdimi edhe për një sezon.

“Gjatë pesë viteve të fundit në Ajax, Erik ka dëshmuar të jetë një nga trajnerët më emocionues dhe më të suksesshëm në Evropë, i njohur për futbollin sulmues e tërheqës të ekipit të tij dhe përkushtimin ndaj të rinjve.

Në bisedat tona ne ishim thellësisht të impresionuar me vizionin e tij në afatgjatë për ta rikthyer Manchester United në nivelin në të cilin duam të konkurrojmë dhe përpjekjet dhe vendosmërinë e tij për ta arritur atë”, – tha John Murtough, drejtor i futbollit të Manchester United, në faqen e klubit.

“Është një nder i madh të emërohem trajner i Manchester United. Ndihem shumë i emocionuar për sfidën që më pret. Unë e njoh historinë e këtij klubi të madh dhe pasionin e tifozëve, ndaj jam absolutisht i vendosur të zhvilloj një ekip të aftë për sukses.

Do të jetë e vështirë të largohem nga Ajax pas këtyre viteve të pabesueshme, por mund t’i siguroj tifozët tanë për angazhimin dhe fokusin tim të plotë për ta mbyllur këtë sezon me sa më shumë sukses, përpara se të transferohem te Manchester United”.

Ten Hag, pas pesë sezonesh në një ekip të cilit iu bashkua në vitin 2017 nga Utrecht, do të arrijë në “Old Trafford” falë futbollit të tij sulmues që magjepsi Evropën, kur arriti në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve më 2019 me Ajax, duke eliminuar gjatë rrugës Real Madridin dhe Juventusin.

Trajneri holandez do ta gjejë Manchester United në krizë. “Djajtë e Kuq” nuk kanë fituar një titull që nga “Europa League” më 2017 dhe kanë pasur shtatë trajnerë (Moyes, Giggs, Van Gaal, Mourinho, Solskjaer, Carrick dhe Rangnick), duke shpenzuar 1.35 miliardë euro për transferime që kur Ferguson u largua nga stoli më 2013.

Ekip pa identitet dhe me probleme në të gjitha linjat që po shkon drejt një tjetër sezoni duarbosh dhe që e ka të vështirë të kualifikohet në Ligën e Kampionëve (janë të gjashtët, tri pikë prapa Tottenhamit, i katërti, dhe Arsenalit, i pesti, me një ndeshje më shumë). Shkarkimi i Solskjaer dhe ardhja e Rangnick nuk ka ndryshuar praktikisht asgjë.