Ish-ministri i drejtësisë, Ylli Manjani, ka vijuar akuzat e tij ndaj ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, sidomos pas ndërhyrjes në vendimet e gjykatave. Ai nuk kursen as gjyqtarët shqiptarë, që bëhen “lolo” të cilitdo ambasadori në Tiranë, duke marrë vendime që s’kanë asnjë lidhje me ligjin, si pranimi i ankimit të Alibeajt dje nga Blerina Muça.

Pa e përmendur me emër këtë të fundit, Manjani e kryqëzon profesionalisht: “Ore dakord që Yuri nuk pyet për konventë e ligj dhe ndërhyn (sigurisht që është e papranueshme dhe siç kam thënë edhe më parë, zonja duhej të ishte shpallur ‘non grata’ dhe duhej përzënë nga territori), por shqiptarët jopushtetarë përse i nënshtrohen ndërhyrjes!?

Çfarë përfiton në këmbim një gjykatës apo një prokuror nga plotësimi i një teke të një ambasadori?! Unë them hiçgjë përfiton. E kuptoj se kur i shërben pushtetit përfiton diçka, po kur i nënshtrohesh një ambasade çfarë fiton?!

Ambasada as vizë nuk të garanton se nuk e ka në dorë konsullatën e shtetit të saj. Nënshtrimi ndaj një ambasade është idiotësi dhe thjesht tregon se sa pa dinjitet është i nënshtruari, i cili në asnjë rrethanë nuk e legjitimon dot mbajtjen e titullit magjistrat.

Cili gjykatës në Europë do bënte atë që i kërkon një ambasador amerikan?! As në Azi e Amerikë Latine nuk ka gjykatës të tillë. Yuri ka gjetur shesh e bën përshesh.  Ndaj përfundimisht problemi mbetet midis nesh. Nuk e bëmë që nuk e bëm dot shtetin. Për fat të keq!”