Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka hapur oborrin e selisë së presidencës sot për prodhuesit shqiptarë, për produktet “made in Albania”, duke i reklamuar ato. Nën moton “Prodho shqip! Bli shqip! Konsumo shqip! Pusho shqip në Shqipëri”, kreu i shtetit ka vizituar stendat e ndryshme, duke uruar secilin prodhues për punën e pakursyer:

“Krenar të çelnim sot në Institucionin e Presidentit, Festivalin Kombëtar të Kulinarisë, Bujtinave dhe Prodhuesve Vendorë, për të promovuar jo vetëm arritjet e të gjithë aktorëve lokalë të turizmit në Shqipëri, por edhe dashurinë për natyrën, etnografinë, traditën, kulturën dhe kulinarinë shqiptare.

Nuk mund të kishte ditë më të bukur për të uruar një sezon turistik cilësor gjithëvjetor dhe të suksesshëm, konkurrues dhe me standarde europiane, për të mirën e Shqipërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë familjare dhe kombëtare.

Të mbështetim gjithmonë e më shumë turizmin dhe të forcojmë lidhjen me zonat tona, për të rikthyer shpresën dhe ndalur shpopullimin e dhembshëm të trevave me pasuri të jashtëzakonshme natyrore”.