Media italiane zbardh rrëfimin e një të penduari të drejtësisë së fqinjit tonë të përtej Adriatikut: Tregti armësh dhe droge me shqiptarët. Ai nuk ishte një filial i ‘Ndrangheta’-s, por Antonio Guastalegname, sipërmarrësi nga Vibo Marina, një bashkëpunëtor i ri i drejtësisë italiane. Ai e dinte se kujt t’i drejtohej për të përmbushur kërkesat e atyre që i drejtoheshin.

Prokurori i antimafias, Antonio Di Bernardo, ka zbuluar kontaktet që 53-vjeçari nga provinca e Astit ka pasur me disa nga togerët kryesorë të bosëve të ‘Ndrangheta del Vibonese’, por edhe me trafikantët e armëve e drogës, një nga specialitetet e tyre kryesore.

Duke folur për drogën dhe lëndët narkotike, Guastalegname citon disa herë dhe njeh në albumin fotografik që i është shfaqur Valerio Navarra, i konsideruar nga hetuesit si shumë i afërt me bosin e Zungri, Antonio Giuseppe Accorinti, një vendas nga Vibonese, por që u shpërngul në Toskanë, në bazën e biznesit të tij.

Navarra, siç raporton i penduari, kishte kontakte me subjektet shqiptare. “Ky i fundit, – thotë Guastalegname, – kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare. Nëse më kujtohet mirë subjekti i korruptuar ishte ministri i Drejtësisë ose i Brendshëm, ose në çdo rast një figurë e rëndësishme politike shqiptare”.

Një lidhje që bashkëpunëtori i drejtësisë thotë se e ka mësuar nga një Eduard ose Robert në një udhëtim Firence-Bologna: “Më propozoi që t’i shisja drogat e tyre direkt, pa ndërmjetës, në stadiumet piemonteze.

Për të më joshur theksuan lehtësinë me të cilën ata mund të organizonin importet e armëve dhe drogës duke u bazuar në ‘mbështetjen e qeverisë shqiptare’ (shprehja e tij), në sajë të së cilës ata mund të evitonin frikën e kontrolleve”.

Për hetuesit do të ishte Robert Lazaj, i lindur në Shqipëri në vitin 1972. Guastalegname e njeh atë në foto: “Konfirmoj se ky është personi të cilit i referohesha dhe është i afërm i ministrit të qeverisë shqiptare, që siguronte mbulimin në këtë tregti”.