Askush nuk e beson, të gjithë flasin për të. Nga viti 2018, me çdo eliminim të Pep Guardiolës në Ligën e Kampionëve, rishfaqen fjalët padyshim jo miqësore të agjentit të Yaya Touré, në atë kohë në konflikt me trajnerin spanjoll.

Dhe kështu, pas disfatës së bujshme dhe tepër të hidhur që pësoi Manchester City i tij ndaj Real Madridit të Carlo Ancelottit, çka i kushtoi shkuarjen në finalen e Parisit, legjenda e veçantë pasurohet me një kapitull të ri.

Guardiola e fitoi të fundit nga dy Champions-it si trajner në vitin 2011, ndërsa u eliminua gjashtë herë në gjysmëfinale (nga nëntë ndeshjet e luajtura). Vitin e kaluar humbi në finale ndaj Chelsea.

Pas disfatës së mbrëmshme, në qendër të vëmendjes u rikthyen fjalët e agjentit të Yaya Touré, Dimitri Seluk, i cili në vitin 2018, pas “divorcit” mes lojtarit nga Bregu i Fildishtë dhe Guardiolës tha:

“Kur sulmon një kampion si Yaya, sulmon një kontinent të tërë. Ajo që bëri Guardiola ndaj Touré nuk është një gabim, por krim. Kjo do t’i kthehet në boomerang, do ta zbulojë se çfarë janë të aftë shamanët afrikanë. Mbani mend këto fjalë.

Benfica vuan mallkimin e Bela Guttman, që i pengon ata të fitojnë finalet evropiane, ndërsa Guardiola mund të ketë të gjitha paratë e mundshme për merkato, por nuk do ta fitojë më Champions League. Vetëm atëherë do ta kuptojë gabimin”.