E ardhmja e Cristiano Ronaldos është ende në dyshim. Dilema është e tillë: Të qëndrojë te Manchester United edhe për një sezon tjetër, por pa Champions, apo të kërkojë lavdi diku tjetër?

Siguria matematikore për të mos luajtur në Ligën e Kampionëve me “Djajtë e Kuq” në sezonin e ardhshëm mund të bëjë diferencën, por fjala e fundit ende nuk është thënë.

Siç raporton “Mirror”, dyshimet e portugezit mund të shuhen së shpejti edhe falë një këshilltari të jashtëzakonshëm. Sipas tabloidit, në fakt, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” i ka kërkuar “ndihmë” Sir Alex Ferguson, me të cilin ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të shkëlqyer.

Sulmuesi i kishte besuar ish-trajnerit që e mori në “Old Trafford” më 2003 dhe në fakt e evidentoi në futbollin e madh. Marrëdhënia mes të dyve, siç dihet, shkon përtej asaj futbollistike.

Nuk dihet se çfarë i kanë thënë njëri-tjetrit CR7 dhe Sir Alex, por ka të ngjarë që përballja e tyre të ketë qartësuar idetë e lojtarit. Prandaj do të shohim nëse Cristiano Ronaldo do të mbetet te Manchester United në epokën e re të Ten Hag apo do të vendosë të shkojë dhe të luajë për trofe të tjerë diku tjetër.