Tiranë- Drejtonte mjetin nën efektin e drogës, arerstohet punonjësi i policisë në Tiranë.

50-vjeçari me detyrë Ndihmës Specialist pranë Drejtorisë së Përgjithshme të policisë, u kap ditën e djeshme teksa rezultoi se po drejtonte makinën duke konsumuar kanabis.

Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë ka referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë materialet proceduriale për arrestimin në flagrancë të punonjësit të policisë, inspektori me inicialet A. B., 50 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist, Drejtoria e Përgjithshme të Policisë.

Arrestimi i tij u krye për arsye se është ndaluar nga Shërbimet e Qarkullimit Rrugor Tiranë pasi kishte shkelur disa rregulla të qarkullimit gjatë drejtimit të mjetit tip AUDI, të cilën e drejtonte pa leje drejtimi.

Nga testi i shpejtë për prezencën e alkoolit dhe lëndëve narkotike ai ka rezultuar pozitiv në treguesit që i korrespondojnë prezencës së Cannabis Sattiva dhe negativ në përqindjen 0.00 e alkoolit.

A.B. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.

Materialet hetimore do dërgohen pranë Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime te mëtejshme.