Gjirokastër – Njëmbëdhjetë emigrantë me ngjyrë nga vendet MENA* janë kthyer në shënjestër plaçkitjeje nga shqiptarë të cilët u kishin premtuar kalimin në vendet e pasura të Bashkimit Evropian, raporton noa.al.

Policia lokale tha se disa persona u kishin marmarre dhunë një shumë parash, sendet personale dhe celularët, 11 emigrantëve që kishin hyrë ilegalisht nga Greqia në Shqipëri, nëpërmjet kufirit të gjelbër.

Hetimi pasoi kapjen dhe arrestimin e njërit prej autorëve të dyshuar, A. O., 21 vjeç, banues në Gjirokastër. Ai tani akuzohet për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.

21-vjeçari, në bashkëpunim me persona të tjerë, të dielën 22 maj, kanë marrë 11 emigrantë të paligjshëm në aksin rrugor Gjirokastër-Virua, me qëllim transportimin e tyre drejt Tiranës, kundrejt fitimit.

Këta shtetas i kanë shoqëruar deri në afërsi të fshatit Mashkullorë, emigrantët, me automjetet e tyre, më pas i kanë nxjerrë nga automjetet dhe iu kanë vjedhur me dhunë, një shumë parash, 11 aparate celulare dhe sende të tjera personale që emigrantët e paligjshëm i kishin me vete.

Policia thotë se po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Shënim: Vendet e MENA janë Algjeria, Bahrein, Egjipti, Irani, Iraku, Izraeli, Jordania, Kuvajti, Libani, Libia, Maroku, Omanu, Katari, Arabia Saudite, Siria, Tunizia, Jemeni dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Nga /noa.al