Aleksandër Vuçiç bëri betimin në parlament duke nisur zyrtarisht mandatin e dytë pesëvjeçar si president i Serbisë.

Në fjalimin e tij para popullit dhe të pranishmëve në sallë nuk mungoi referenca për Kosovën. 

“Betohem se të gjitha fuqitë e mia do t’i përkushtoj për ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë së territorit të Republikës së Serbisë, duke përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë integrale të saj”.

Presidenti nënvizoi gjatë adresimit të tij se Serbia duhet të kërkojë një kompromis për çështjen e Kosovës dhe tha se kjo temë do të jetë edhe më e theksuar gjatë muajve në vijim.

“Për shkak të krizës në Ukrainë, çështja e Kosovës do të jetë edhe më e spikatur dhe e vështirë për ne për t’u zgjidhur”, tha Vuçiç. Ai shtoi se kjo temë është më e rëndësishme për shkak të asaj që thotë presidenti rus, Vladimir Putin, se “Kosova nuk është si shembujt e tjerë në botë”.

Presidenti serb u zotua të ruajë neutralitetin ushtarak të vendit të tij, teksa e konsideroi problem faktin që rrethohet nga shtete dhe territore anëtare në NATO.

Në seancën speciale, Vuçiç lëshoi mesazhe pozitive për vendet e rajonit duke kërkuar përmirësimin e marrëdhënieve me Bosnjë-Hercegovinën dhe Kroacinë.

Gjithahtu, dha garanci për respektimin e marrëveshjes së Dejtonit për të respektuar integritetin territorial të Bosnjës fqinje. Vuçiç tha se nuk ka sjellje apo qëndrime antiperëndimore dhe rusofobe në vendin e tij, teksa porositi se qeveria e re e Serbisë duhet të formohet deri në fund të korrikut.