Kancelari gjerman Olaf Scholz do të vizitojë javën e ardhshme Ballkanin. Lajmin  e bëri të ditur të premten në Berlin, në konferencën rregullt për shtyp, zëvendës-zëdhënësi i qeverisë gjermane, Wolfgang Büchner.

Më 10 qershor kancelari gjerman do të jetë në Kosovë, ku, veç liderëve të Kosovës, do të takohet edhe me përfaqësues të trupave gjermane të KFOR-it. Po atë ditë Scholz do të vijojë udhëtimin në Serbi dhe në Selanik, ku do të zhvillojë një takim me krerët e vendeve të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), një forum politik ky, i iniciuar në Sofje në vitin1996.

Të nesërmen, më 11 qershor, Scholz do të vijojë udhëtimin në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari.

“Fokusi i udhëtimit do të jetë perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe tejkalimin e bllokadave dypalëshe”, tha Büchner.

Më herët kancelari gjerman Olaf Scholz kishte deklaruar se do të udhëtonte në Ballkanin Perëndimor, përpara se të mbahet një takim i Këshillit Evropian muajin e ardhshëm, duke përcjellë mesazhin se rajoni i përket Bashkimit Evropian.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me aspirata për anëtarësim në BE; Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, janë përfshirë në procesin e reformave shumëvjeçare, u tha Scholz ligjvënësve në Berlin të enjten e 19 majit.