Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për Gjermaninë dhe unë jam i përkushtuar për anëtarësimin e tij në Bashkimin Evropian. ky ishte mesazhi që përcolli në Maqedoninë e Veriut kancelari Olaf Scholz, i cili më herët ndaloi në Kosovë dhe Serbi. Maqedonia e Veriut, sipas tij, i ka përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e negociatave për anëtarësim dhe theksoi se do të përpiqej personalisht për hedhjen e hapit të radhës.

“Gjermania është serioze për integrimin europian të vendeve të rajonit dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për Maqedoninë e Veriut. BE-ja i ka dhënë fjalën Shkupit dhe ai i ka përmbushur të gjitha parakushtet për nisjen e negociatave. Negociatat për anëtarësim duhet të fillojnë dhe unë do të përpiqem për këtë. Inkurajoj Maqedoninë e Veriut që të vazhdojë angazhimin e saj në rrugën e reformave”.

Kancelari gjerman vlerësoi forcën politike që, siç tha ai, bëri të mundur arritjen e marrëveshjes me Greqinë. Prandaj sipas tij, edhe pjesa tjetër e detyrës duhet të ketë sukses pasi kjo është diçka për të cilën qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Qeveria kanë punuar shumë. Marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, vlerësoi Scholz, janë jo vetëm politike, por edhe ekonomike, të larmishme dhe të ngushta. Kjo është një arsye plus pse Gjermania e mbështet Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se kjo është vizita e dytë e kancelarit gjerman, e cila, sipas tij, dëshmon për marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira ndërmjet dy vendeve. Gjatë vizitës në Beograd pasditen e së premtes, Scholz i këkroi Serbisë të njohë pavarësinë e Kosovës, një thirrje kjo që nxiti irritimin e presidentit Vuçiç dhe reagimin e Moskës zyrtare.