Lideri i opozitës në Rusi, Aleksei Navalni, është transferuar nga burgu për në një vendndodhje të panjohur. Këtë e konfirmoi një prej ndihmësve të tij.

“Ku është Aleksei tani dhe në cilin kompleks burgu është dërguar, ne nuk e dimë”, tha Leonid Volkov, shef i stafit të kritikut të Kremlinit.

Ndërsa zëdhënsja, Kira Yarmish, bëri të ditur se mësuan për zhvendosjen e Navalnit vetëm pasi avokati tentoi ta vizitonte në qendrën e vuajtjes së dënimit në Pokrov, 120 kilometra larg nga Moska. Kjo lëvizje erdhi pasi një gjykatë e Rusisë urdhëroi që opozitari të transferohej në një burg të sigurisë së lartë, ku do t’i reduktoheshin vizitat dhe korrespondenca.

Navalni u dënua fillimisht me 2 vite e gjysmë për thyerje të lirimit me kusht, ndërsa më pas iu shtua dhe një dënim tjetër prej 9 vitesh, pasi u shpall fajtor për përvetësim fondesh.