Kryeministri Edi Rama është pritur sot nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili e falënderoi për mbështetjen që Shqipëria po i jep popullit ukrainas.

“Partnerët ndërkombëtarë vazhdojnë të vijnë në Ukrainë. Dhe ky është një manifestim i rëndësishëm i mbështetjes së popullit tonë. Sot takohem me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazovic”, shkroi Presidenti ukrainas në rrjetin social.

Më herët, kryeministri Edi Rama kishte publikuar pamje nga vizita e tij në Ukrainë. Kreun e qeverisë e shoqëron ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov, Drejtori i Komunikimeve Endri Fuga dhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Kryeministri vizitoi fillimisht zonat e bombarduara të Borodyanka dhe Irpin, si dhe më pas ekspozitën me dëshmi të luftës ruso-ukrainase.