Ndërkohë që pas 4 ditësh protestë, avokatët pasditen e sotme paralajmëruar bojkot total të seancave gjyqësore dhe pa afat, për shkak të miratimit të hartës gjyqësore nga KLGJ-ja, e cila sipas tyre  është në shkelje të të drejtës së qytetarit për akses në drejtësi, Avokati i Popullit ka shprehur në Intervistën me Merita Hakljan qëndrimin për këtë çështje. Për Erinda Ballancën harta e re gjyqësore ka një sërë problematikash, nga kufizimi i aksesit tek ulja e besimit të qytetarëve te drejtësia. Sipas saj e gjithë kjo është një lëvizje e detyruar nga mungesa e kapaciteteve njerëzore për shkak të vetingut. 

“Nuk ka diskutim që aksesi i qytetarëve te drejtësia kufizohet përmes hartës së re gjyqësore. E kemi bërë studim dhe kemi bërë një rekomandim që ua kemi dërguar edhe ministrisë së drejtësisë. Është lëvizje e detyruar për ta vënë sistemin në shina, sesa një hartë gjyqësore, se shkaku kryesor pse po bëhet është numri i vogël i gjyqtarëve që ne nuk kemi si ta adresojmë ndryshe. Kjo për shkak të mosparashikimit të atyre që bënë ligjin, që reforma do të ishte kaq e thellë me largimin e shumë gjyqtarëve nga sistemi, për shkak edhe të mos bashkëpunimit politik dhe për faktin se prej një viti nuk kemi magjistratë të rinj në sistem”.

Ballanca sjell vëmendje që edhe Komisioni i Venecias në opinionin fillestar e vuri në pikëpyetje këtë reformë për shkak të këtyre kapaciteteve, por në një opinion të dytë ata thonë se morën garanci për t’iu përgjigjur kësaj reforme.

“Edhe komisioni i Venecias tha në opinionin paraprak, se kjo reformë është shumë e thellë e kërkon kapacitete të mëdha njerëzore dhe ata vunë në pikëpyetje të gjithë reformën për shkak të kapaciteteve. Shqipëria nuk i ka kapur këto kapacitete, por dëshira e personave dhe nevoja e reformës në drejtësi, ka bërë që në raundin e diskutimeve që u bënë në atë kohë me të gjithë anëtarët e komisionit të hartimit të reformës, kur erdhën për herë të dytë në një  opinion të dytë, ata thonë se morën garanci që aktorët janë për t’iu përgjigjur kësaj reforme. Po është e qartë tashmë që kapacitetet nuk janë. Asnjë institucion i reformës në drejtësi nuk u ngrit në kohë. Në këto kushte çdo lëvizje po bëhet që t’i grupojmë ato, ku të ketë gjyqtarë për ti gjykuar prej gati dy vjetësh ne jemi në kushtet e gjyqtarëve fluturues. Është pikërisht komandimi i gjyqtarëve se një pjesë e madhe mbeti pa trup gjykues”.

Për Avokatin e Popullit, problemi i hartës së re gjyqësore nuk është kostoja e qytetarëve, por ulja e besimit te drejtësia dhe cilësia e gjykimit. Ballanca thekson se i ka adresuar KLGJ-së disa rekomandime, pasi nuk ka marrë parasysh elementët thelbësore në hartimin e saj, që nga modeli i referencës së marrë.

“Problemi kryesor nuk është kostoja se është i zgjidhshëm, por besimi që do kenë qytetarët te drejtësia dhe cilësia e procesit gjyqësor. Një zgjidhje më mirë do të ishte që të lëviznin gjyqtarët dhe ta ndjenin qytetarët drejtësinë. Nëse ne do të vazhdojmë të mos e realizojmë këtë nuk kemi arritur asgjë. Ne do vazhdojmë të kemi rënie të besimit të qytetarëve te drejtësi sistemi i drejtësisë është biznes i shtrenjtë që kërkon para. KLGJ-së i kemi kërkuar që ky draft të ribëhet se nuk ka marrë parasysh elementët thelbësorë në bërjen e një harte gjyqësore. Ata kanë marrë në referencë shtete që nuk ka në asnjë afërsi me Shqipërinë, si Danimarka. Nuk kanë të njëjtën kulturë gjyqësore. Danezët nuk shkojnë në gjyqe sa ne. Kurse shqiptarët i ndjekin deri në gjykatën e lartë. Jemi kokëfortë nga natyra dhe mendojmë që kemi të drejtë. Nuk njohim kompromisin. Nuk kemi përmirësim të kulturës së kompromisit. Aksesi i lëvizjes në Danimarke me Shqipërinë është e ndryshme, ne e kemi të vështirë aksesin nga rrethet”.

Problemi tjetër që ngre Ballanca është se me uljen e numrit të gjykatave gratë e dhunuara dhe të abuzuara nuk do të kenë më mundësi për të ngritur zërin për abuzimet ndaj tyre.

“Me uljen e numrit të gjykatave do të kemi mundësi të vogla për gratë e dhunuara e të trafikuara për të ngritur zërin për problematikën. Është shumë e qartë që numri i grave që denoncojnë dhunën në polici është më i lartë se në gjykatë. Kjo do të ngelet në duart e policisë dhe jo gjithnjë policia ka qenë mbështetëse në këtë çështje, madje rezulton që kanë qenë penguese për denoncimin e abuzimeve të tilla dhe kjo do ta përkeqësojë çështjen”.

Kufizimi i numrit të gjyqtarëve për Ballancën do të ulë edhe cilësinë dhe besimin e qytetarëve

“Gjykatat do të jenë të mbyllura, do vendosen pa dëgjuar trupat dhe kjo do të ulë besimin e qytetarëve te drejtësia dhe cilësinë e gjykimit. Besoj se ngarkesa që ka përballuar sistemi gjyqësor është shumë e madhe, në kushtet e një pune të pamundur dhe nuk u jep mundësinë atyre që të kenë kohën e duhur për të trajtuar. A mund të gjykoni 40 çështje brenda 8 orësh edhe më i zoti të jeni, është pamundur të gjykoni 40 çështje në ditë?  Ne kemi numër të kufizuar gjyqtarësh. Dhe punojnë në kushte të pamundura. Dhe kemi cedim të cilësisë dhe reforma nuk do ta sjellë besimin e qytetarëve”.

Skeptike u tregua Ballanca në rezultatet e reformës në drejtësi kur tha se edhe në dy vitet e adhshme nuk do të kemi përmirësim, por përkeqësim të aksesit të qytetarëve dhe ulje të besimit të tyre. Sipas saj rezultatet do të ndihen pas 10 vitesh.

“Ne edhe për 5 vjet nuk do të kemi sistem që të kemi gjyqtarë të cilët do të jenë të barabartë me gjyqtarët që ne hoqëm gjatë këtyre viteve. Ndërtimi i një sistemi drejtësie është një ngrehinë e tërë. Paprekshmëria e gjyqtarëve nuk është realitet secili e kupton që nuk është i paprekshëm ndaj ligjit. Mosdhënia e drejtësisë qytetarit është një problem që duhet ta adresojmë. Ndryshimet në reformë janë të mirëpritura, por nëse i bëjmë për të mbuluar gropa nuk janë të mirëpritura. Unë shpresoj që na duhen edhe 10 vite për të pasur rezultate edhe në dy vitet e adhshme nuk do të kemi përmirësim, por përkeqësim të aksesit të qytetarëve. Pas dy vitesh d kemi përmirësim të lehtë dhe ky përmirësim do të ndjehet te qytetarët pas 10 vitesh. Do të vazhdojë të bjerë besimi i qytetarëve”.