Më pak se dy muaj pasi u rizgjodh president, Emanuel Macron humbi kontrollin e Asamblesë Kombëtare, pas një performance të fortë të aleancës së majte dhe se djathtës ekstreme. Në raundin e dytë dhe të fundit të zgjedhjeve parlamentare, koalicioni i qendrës, Ensamble, fitoi 245 nga 577 vendet e asamblesë, ndërsa 289 ishin të nevojshme për shumicën absolute.

Aleanca e majte NUPES, e drejtuar nga Jean-Luc Melenchon, siguroi 131 vende ndërsa Tubimi Kombëtar i Marin Le Pen, shkroi historinë me 89 mandate të siguruara nga 8 që kishte në legjislativin e fundit.  Kryeministrja e sapoemëruar, Elizabet Borne tha se situata ishte e paprecedentë dhe se Franca moderne nuk kishte pasur kurrë një asamble të tillë.

 “Situata përfaqëson një rrezik për vendin tonë, konsideruar sfidat me të cilat përballemi në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Do të punojmë që nesër për ndërtimin e një shumice funksionale”, deklaroi kryeministrja.

Deri më tani asnjë nga dy grupet më të mëdha parlamentare nuk duket i interesuar për bashkëpunim. Ministri i ekonomisë, Bruno Le Maire tha se Franca nuk ishte e paqeverisshme por se do të kërkonte shumë imagjinatë. Sakaq, lideri i së majtës ekstreme Jean-Luc Mélenchon u tha mbështetësve se partia presidenciale kishte humbur dhe se çdo mundësi ishte në dorën e tyre.

 “Është një situatë e papritur, absolutisht e paprecedentë. Është disfata totale e partisë së presidentit e cila nuk ka më shumicën”, deklaroi ai.  

Ndërkohë, sipas Le Pen, “njerëzit kanë folur. Aventura e Emanuel Macron ka marrë fund dhe ai do të drejtojë tani një qeveri pakice”.

Mes ministrave që humben mandatin ishte ajo e shëndetësisë Brigitte Bourguignon e po ashtu ajo e transicionit të gjelbër Amélie de Montchalin. Një prej aleatëve më të ngushtë të Macron, presidenti i asamblesë Richard Ferrand, ja dorëzoi fitoren rivales së të majtës Mélanie Thomin.

Nëse konfirmohet, ky do të jetë parlamenti më i fragmentarizuar që do t’i hapte rrugën një periudhe pasigurie politike dhe ndarje të pushtetit mes partive që nuk kanë bashkëpunuar kurrë me njëra tjetrën. Nëse nuk do të gjendej një kompromis, francezët do të duhet t’i drejtoheshin edhe një herë qendrave të votimit.