Një tjetër masakër ka ndodhur së fundmi në Meksikë si pasojë e luftës mes karteleve të drogës dhe autoriteteve meksikane. Të paktën 11 persona janë raportuar të vrarë nga kjo ngjarje.

Mediat meksikane raportojnë se anëtarë të Gardës Kombëtare të Meksikës zhvilluan një operacion për arrestimin e pjesëtarëve të kartelit të drogës La Familia Michoacana në qytetin Texcaltitlan, aty ku u përballën me reagim të armatosur.

“Mexico Daily Post” raporton se 10 persona mbetën të vdekur në vendngjarje, ndërsa një tjetër ndërroi jetë në spital. Në këtë operacion u arrestuan edhe 10 persona. Ndërkohë, policia bëri të ditur se sekuestroi armë të ndryshme duke përfshirë 20 pushkë e pistoleta.

Ndërkohë, si për të treguar rëndësinë e jetës mes anëtarëve të karteleve të drogës, vëmendjen më të madhe nga mediat, por edhe reagimet më të shumta në rrjetet sociale, i mori vrasja e një majmuni, i cili i përkiste një anëtari të kartelit të drogës.

Ai u gjet i veshur me një jelek antiplumb dhe xhaketë të kamufluar. Edhe më i çuditshëm është fakti se për këtë rast, autoritetet kanë nisur edhe një hetim për mundësinë se si ka përfunduar majmuni në duart e trafikantëve të drogës, pasi është një specie në mbrojtje.