Dy të rinj me origjinë nga Kosova, janë ndaluar nga Policia italiane, pasi dyshohet se janë trajnuar për të kryer një sulm me mjete shpërthyese në Itali, në emër të organizatës terroriste “Shteti Islamik”.

Çifti është arrestuar më 15 qershor dhe po hetohen nga prokuroria e Trentos për terrorizëm, apo përmbysje të rendit demokratik, regjistrim dhe trajnim për qëllime terroriste, përfshirë ato ndërkombëtare. Më 18 qershor, gjyqtari hetues i Gjykatës së Roveretos urdhëroi arrest shtëpie vetëm ndaj burrit.

Masa paraprake u përcaktua nga nevoja për të garantuar një rrugë deradikalizimi të të dyshuarit, në të cilën familja e origjinës, e integruar në mënyrë perfekte në strukturën shoqërore italiane, do të ketë një rol themelor.

Nga aktivitetet hetimore rezultoi se dy të rinjtë, të lindur në Itali nga familje me origjinë kosovare, të futur në kontekstin social, të punës dhe studimit, kishin ndërmarrë prej kohësh një rrugë radikalizimi, që u bë e mundur dhe efektive nga propaganda xhihadiste në internet. Pas kryerjes së sulmit, të dy duhej të udhëtonin në Afrikë për t’iu bashkuar organizatës terroriste.

Gjatë operacionit u kryen disa kontrolle të cilat bënë të mundur sekuestrimin e pajisjeve kompjuterike dhe produkteve kimike, prekursorë për prodhimin e mjeteve shpërthyese, të dorëzuara në Grupin e Hetimeve Shkencore për hetime teknike.