Më shumë se 100 persona u arrestuan në Turqi ditën e diel, gjatë manifestimit të komunitetit LGTBQI, i cili ishte ndaluar nga autoritetet.

Pjesëmarrësit u përplasën me policinë në Stamboll, e cila nisi të arrestonte këdo që bënte rezistencë, mes të cilëve dhe një gazetar.

Ngjarja ndodhi në distriktin Beyoglu, që konsiderohet si zemra e qytetit, ku marshuesit hasën në forcat e policisë, që i penguan ata të shkonin drejt sheshit Taksim.

Raportime nga vendngjarja bëjnë me dije se shumë prej protestuesve u dhunuan nga policia. Banorët e pallateve dolën në ballkone në mbështetje të manifestuesve duke hedhur sende të forta ndaj policisë. Ndërkohë që ngjarja u monitorua dhe nga helikopterët e forcave të rendit.