Mediat peruane kanë zbuluar detaje të tjera mbi dy shqiptarët trafikantë të kokainës, të cilët janë shpallur në kërkim në vendin amerikano-jugor për trafikimin e 2,2 tonë kokaine.

Në videon ekskluzive të publikuara nga “panamerica.pe”, dy shqiptarët shihen sesi ndiqeshin nga efektivët e policisë vendase gjatë qëndrimit të tyre në Peru, pasi kishin hyrë nga Ekuadori si turistë.

Policia arriti të zbulojë lidhjet e tyre me sipërmarrës vendas, të cilët ishin gjithashtu me precedentë penalë në fushën e trafikimit të narkotikëve. Sipas drejtorit të departamentit të Antidrogës, Deny Rodriguez, dy shqiptarët, të identifikuar si Franc Malo dhe Gentjan Meta, ishin krahu operativ i një organizate ndërkombëtare kriminale. Por në Peru, ata kishin ngritur një rrjet të mirëfilltë kriminal.

“Ata merreshin me financat dhe logjistikën e trafikimit”, thotë Rodriguez. “Pronari i kompanisë së eksportit të perimeve, Ismael Berley, ishte njeriu që merrej me paketimin e produkteve të paligjshme, të kamufluara në kuti me asparag, për t’i dërguar në Holandë”.

“Kjo organizatë është e ndarë në dy pjesë shumë të rëndësishme. Një krah që merrej me prodhimin e drogës, i kryesuar nga Ronny Walter Silva Leon, dhe tjetri që merrej me dokumentet dhe eksportin e produktit”, shton Rodriguez.

Por edhe pse mbaheshin nën vëzhgim, nga muaji prill deri në korrik, dy shqiptarët, të njohur edhe me nofkën “Qerosi” dhe “Mjekroshi”, ata arritën t’i shpëtojnë policisë, ndërsa në pranga përfunduan 6 shtetas peruanë. Malo është emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi në vitin 2014 – asokohe 25 vjeç – rezulton i arrestuar bashkë me një person tjetër për trafikimin e 2 kilogramëve heroinë.

Antidroga peruane nuk përjashton mundësinë që trafikantë të tjerë nga Ballkani, por edhe dy shqiptarët e shpallur në kërkim, të rikthehen në vend për të ringritur organizatën dhe rinisur trafikun e kokainës drejt Europës.