Me 200 kilometra në orë, policia ndëshkon “kamikazët” e rrugëve, 15 të arrestuar në pak orë.

Policia ka vënë në pranga 15 persona në pak orë pasi janë kapur në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.

Në një njoftim, policia bën të ditur se prej orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, në të gjithë vendin janë arrestuar 15 drejtues mjetesh, nga të cilët 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. 

Janë ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj deri në 16 muaj, për shpejtësi nga 139 km/h deri në 193 km/h, 104 drejtues mjetesh. Gjithashtu, janë ndëshkuar me masa administrative nga 12.000 deri në 40.000 lekë të rinj dhe me zbritje pikësh në lejen e drejtimit, nga 10 deri në 13 pikë.

Janë evidentuar duke përdorur aparatin celular gjatë drejtimit të mjeteve, 211 drejtues mjetesh, të cilët janë ndëshkuar me masa administrative nga 15.000 deri në 30.000 lekë të rinj.

Gjithashtu, janë evidentuar 173 drejtues mjetesh që nuk përdornin rripin e sigurimit, të cilët janë ndëshkuar me masa administrative nga 10.000 deri në 20.000 lekë të rinj.

Janë ndëshkuar 98 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara, 234 drejtues mjetesh për shpejtësi tej normave të lejuara, por pa sanksionin plotësues pezullim i lejes së drejtimit, 112 drejtues mjetesh për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 79 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.