Shqipëria renditet si një ndër vendet kryesore në botë për kultivimin e kanabisit.  Në një raport të publikuar nga zyra e Kombeve të Bashkura për vitin 2022, Shqipëria renditet  e shtata në botë për orgjinën, nisjen dhe tranzitin e lëndës narkotike kanabis nga viti 2016 deri në vitin 2019.

Në vend të parë qëndron Maroku, më pas renditen Afganistani, Spanja, Holanda, Pakistani dhe Libani.

Po sipas këtij raporti, Shqipëria renditet e para në rajonin e Europës Juglindore sa i përket kultivimit dhe eksportimit. Pas Shqipërisë renditen Turqia, Rumania e Bullgaria.

Shqipëria përmendet edhe në të ashtuquajturën rrugë të Ballkanit për heroinën, që fillon nga Pakistani, kalon nëpër Siri, Turqi, Greqi, Shqipëri dhe përfundon në vendet e Europës Perëndimore.

Një tjetër raport, i publikuar së fundmi nga Qendra Europiane për Monitorimin e Drogave rreth një muaj më parë, konstatonte se grupet kriminale shqiptare, që prej vitit 2017 jo vetëm që janë zgjeruar, por edhe janë sofistikuar, duke kontrolluar si importin ashtu dhe shpërndarjen e kokainës nga vendet e Amerikës Latine në tregjet europiane.