Koronavirusi po merr sërish jetë. Spitali Covid në QSUT raporton një humbje jete, pas 7 javësh të qeta, pa viktima dhe me shifra të ulëta shtrimesh.

Por ditët e fundit situata epidemiologjike ka ndryshuar. Infektimet janë rritur ndjeshëm thuajse tek të gjitha grupmoshat si dhe janë shtuar rastet e rënda që kërkojnë ndihmë në spital. Me rritjen e infektimeve në këtë periudhë është shtuar edhe frika tek qytetarët.

Të moshuarit po I drejtohen sërish vaksinës, ndërsa të rinjtë vijojnë të jenë indiferentë. Pavarësisht  rritjes së lehtë të vaksinimeve në këtë periudhë, shifrat e imunizimit mbeten sërish të ulëta. Vetëm 45% e popullsisë ka kryer dy doza anti-Covid, 13% kanë marrë dozën e tretë ndërsa për vaksinën e katërt shifrat janë shumë të ulëta.

Me rritjen e infektimeve, ekspertët bëjnë thirrje për vaksinim. Nënvarianti Ba2, dominant në këtë periudhë është shumë ngjitës, mund të shkaktojë raste të rënda edhe humbje jete.