Ekonomia shqiptare u rrit me thuajse 6% në tre muajt e parë të vitit, pavarësisht krizës ndërkombëtare të çmimeve. Shqipëria arriti kështu të mbajë ndezur motorët, me ndërtimin, tregtinë dhe pasuritë e paluajtshme si sektorët që mbajtën peshën kryesore të rritjes.

Megjithatë, kriza u bë e ndjeshme në sektorin e argëtimit, që performoi edhe më dobët se një vit më parë, kur masat kufizuese të pandemisë ishin ende në fuqi.

Shtrenjtimi i çmimeve i detyroi shqiptarët të shpenzojnë më shumë për ushqime dhe nevoja të tjera jetike, duke hequr dorë në këtë mënyrë nga aktivitetet argëtuese dhe çlodhëse.

Dobët performoi edhe sektori bujqësor, i prekur drejtpërdrejt nga shtrenjtimi i inputeve si plehrat kimike dhe veçanërisht nafta.

Ndërkohë, pavarësisht situatës, bizneset vijuan rritjen e fortë të investimeve, diçka që nuk mund të thuhet për shpenzimet e qeverisë, ku shumë punë publike u ngadalësuan pikërisht prej çmimeve të shtuara të materialeve.