Agjencitë amerikane të Inteligjencës vlerësojnë se Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka hequr dorë nga ambicia për të pushtuar pjesën më të madhe të Ukrainës.

Megjithatë, sipas tyre, ushtria ruse është dobësuar shumë në luftime dhe ka pak gjasë të avancojë përtej rajonit të Donbasit në të ardhmen e afërt. Kjo, sipas drejtoreshës së zbulimit kombëtar, Avril Haines, nënkupton se lufta mundë të vazhdojë për një kohë të gjatë.

“Ne vlerësojmë se ka një shkëputje mes objektivave afatgjatë ushtarakë të Putin dhe kapaciteteve ushtarake. Një lloj mospërputhje mes ambicieve të tij dhe asaj që ushtria është në gjendje të arrijë. Ajo në Ukrainë mbetet një luftë e rëndë në të cilën rusët do të bëjnë përparime të ngadalshme, por jo të mëdha”. Me pak fjalë, gjendja mbetet mjaft e zymtë”, tha Avril Haines.

Që kur dështoi në qëllimin e tij fillestar për të pushtuar Kievin, Rusia është fokusuar në pushtimin e rajonit lindor të Donbas, një zonë e madhe industrial ku Putin pretendon pa pasur prova, se autoritet e Kievit kanë kryer gjenocid ndaj minoritetit rus.

Forcat e Moskës kanë siguruar fitore në zonë, duke marrë së fundmi edhe kontrollin e qytetit të Severodonetsk, por përparimi ka qenë i ngadaltë falë rezistencës së fortë të ushtrisë ukrainase. Në komentin e parë publik për luftën që prej muajit maj, Haines thotë se mes 3 skenarëve që po shqyrtohen lidhur me evoluimin e luftës, më i mundshmi është ai i një konflikti që avancon ngadalë, me Moskën që mund të siguroje fitore territoriale, por jo të mëdha.

Mes mundësive të tjera, që sipas shërbimeve, të zbulimit kanë më pak gjasë të ndodhin përfshihet, një përparim i madh i Rusisë ose një stabilizim në frontet e luftës me Ukrainën që mund të sigurojë fitore të vogla.