Ruja Ignatova, e njohur edhe si “Mbretëresha e zhdukur e kriptomonedhave”, është vendosur në listën e dhjetë personave më të kërkuar të FBI-së.

Bullgarja kërkohet për rolin e saj në drejtimin e një skeme mashtrimi me kriptomonedha, të njohur si OneCoin.

Hetuesit federalë akuzojnë të arratisurën se e përdori skemën për të mashtruar viktimat, të cilëve dyshohet se iu mori 4 miliardë dollarë.

Ajo është zhdukur që prej vitit 2017, kur zyrtarët amerikanë nënshkruan një urdhërarresti për të.

Ignatova kërkohet për rolin e saj në drejtimin e OneCoin, një kriptomonedhë e vetëshpallur që duke filluar rreth vitit 2014, u ofronte blerësve komision nëse ata ia shisnin monedhën më shumë njerëzve.

Por agjentët e FBI-së thonë se OneCoin ishte i pavlerë dhe nuk u mbrojt kurrë nga teknologjia blockchain e përdorur nga kriptovalutat e tjera. Sipas pretendimeve të bëra nga prokurorët federalë, në thelb ishte një skemë Ponzi e maskuar si një kriptomonedhë.