Në qoftë se ka një qytet dhe një tifozeri të një qyteti të rëndësishëm në Itali që sot po ëndërron me sy të hapur, bëhet fjalë për atë të Palermos, falë sheikëve që kanë në pronësi edhe Manchester City .

Kryeqendra e Sicilisë vitet e fundit ka vuajtur shumë për shkak të ekipit të tij, që kaloi nga shkëlqimi i dekadës 2003-2013, ku ekipi merrte pjesë në kupat e Europës dhe kishte në formacion lojtarë kampionë bote si Luca Toni dhe Fabio Grosso, por edhe yje ndërkombëtare si Javier Pastore, Paulo Dybala dhe Edinson Cavani.

Ishte dekada e pronësisë së presidentit Maurizio Zamparini, sipërmarrësit nga Venecia por që u identifikua me popullin sicilian, që e adoptoi atë. Por nga viti 2014 e më tutje historia e presidentit dhe e ekipit u identifikua me dështimet e njëpasnjëshme që detyruan Zamparinin pas 15 vitesh të shiste krijesën e tij, edhe pse kjo nuk e shpëtoi ekipin historik të falimentonte për shkak të borxheve në 2017 , duke filluar nga kategoria D, ajo amatore, që kurrë nuk kishte pasur dhe ëndërruar brenda saj një ekip që deklaron 1 milion e gjysmë tifozë të shpërndarë në gjithë botën.  

Pikërisht pak pas vdekjes së Zamparinit, në shkurtin e këtij viti, filluan të qarkullojnë lajmet për një interesim për ekipin sicilian, që ndërkohë  fitoi kategoritë minore dhe pikërisht këtë vit është rikthyer në Serie B, të grupit nga Katari të sheikut Mansour, që kontrollon Manchester City, por edhe ekipe të tjera si spanjollët e Gironës, francezët e Troyes, belgët e Lommel dhe jashtë Europës japonezët e Yokohama Marinos, australianët e Melbourn City dhe uruguaianët e Montevideos , indianët e Mumbai City dhe amerikanet e New York City.

Protagonist i rikthimit te Palermos në Serie B ka qenë edhe një shqiptar, mbrojtësi i krahut Massimiliano Doda.