Cristiano Ronaldo ka kërkuar që të largohet nga Manchester United këtë verë. Sipas “The Times”, 37-vjeçari kërkon që këtë sezon të luajë në Champions League, gjë që me United nuk do të mund ta bëjë.

CR7 ka qenë i pranishëm në 19 edicione radhazi të kompeticionit më të madh për klube në botë, që kur u largua nga Sportingu i Lisbonës, në verën e vitit 2003. Sulmuesi ka luajtur 183 ndeshje në Champions, duke shënuar 140 gola e duke dhënë 42 asiste.

Portugezi nuk ka luajtur kurrë në Europa League, kompeticion ku do të luajë Manchester United këtë sezon, pasi përfundoi në vendin e gjashtë të Premier League.

Aktualisht, Bayern Munchen dhe Chelsea kanë shprehur interes për fituesin e pesëfishtë të Topit të Artë.