Banorët e Finlandës dhe Suedisë janë vigjilentë ndaj sulmeve të mundshme nga Rusia për hyrjen në NATO të dy vendeve nordike. Dëshmi e mirë për këtë është se ditët e fundit shitja e benzinës, baterive, ujit, ushqimeve dhe ilaçeve është rritur shumë.

Një reportazh i “El Mundo” tregon popullsia e të dy vendeve po grumbullon mallra thelbësore përballë një sulmi të mundshëm rus, qoftë ushtarak apo kibernetik, që mund të rrezikojë sigurinë.

Marrëveshja e fundit e arritur me Turqinë, që Ankaraja të heqë veton për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në Aleancën Atlantike, e bën gjithnjë e më të afërt përfshirjen e të dy shteteve në organizatën ushtarake. Rrjedhimisht, një përgjigje ruse gjithashtu bëhet e mundshme.

Megjithatë, rasti i secilit vend është i ndryshëm. Në Suedi, grumbullimi i materialeve të mbijetesës ka ndodhur në mënyrë spontane. Në Finlandë shpjegohet me rekomandimin e Organizatës Kombëtare të Shpëtimit (SPEK) se qytetarët kanë furnizime të mjaftueshme për të gjithë shtëpinë, përfshirë kafshët, për të paktën 72 orë. Po kështu, agjencia finlandeze e transportit dhe komunikimit, Traficom, ka paralajmëruar se ka shumë të ngjarë që Rusia të përpiqet t’i përgjigjet anëtarësimit në Aleancë me sulme kibernetike. Zëdhënësja e Traficom, Mari Aro, theksoi se këto ofensiva mund të zgjidhen “për shembull, me metoda alternative pagese në rast se rusët hakojnë sistemet elektronike të pagesave. Dështimet eventuale me kartat mund të zgjidhen duke pasur para cash”. Përballë këtyre kërcënimeve, duhet të jesh i përgatitur”.

Disa ekspertë theksojnë se qëndrimi që po adoptohet nga finlandezët dhe suedezët nuk është për shkak të frikës së tepruar. Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Kopenhagenit dhe një studiues për sigurinë në rajonet nordike dhe baltike, Mikkel Vedby Rasmussen, shprehet: “Që Vladimir Putin të nisë një aksion ushtarak kundër një vendi në rajonin nordik nuk është absolutisht për t’u përjashtuar”.

Vedby Rasmussen detajon se “nga pikëpamja strategjike, interesi i Rusisë në Finlandë nuk është irracional. Nëse Kremlini dëshiron një përshkallëzim të konfliktit jashtë territorit ukrainas, ai ka dy opsione: të shkojë në vendet baltike ose të shkojë në Finlandë. Ka mundësi që Rusia në një moment të përpiqet të pushtojë një ishull të vogël ose të krijojë probleme në kufirin ruso-finlandez”.

Kreu i kërkimit në Institutin Finlandez të Punëve të Jashtme dhe një eksperte për politikën e jashtme ruse, Sinikukka Sari, gjithashtu pajtohet me Rasmussen: “Për momentin nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë sepse Putini është i zënë me Ukrainën, por mund të ketë më vonë. Deri vonë, Rusia nuk ishte ndoshta fqinji më i lehtë, por ne kishim mësuar të jetonim me të dhe besuam se mund ta përballonim atë. Por, tani kemi parë se nuk është e mundur, kemi parë se pa bërë gjë mund të na ndodhë ajo që po ndodh në Ukrainë”.

Sa i përket Suedisë, kërcënimi më i madh mund të jetë në Gotland, një ishull 125 kilometra i gjatë që shtrihet 90 kilometra nga bregu. Studiuesja në Institutin Suedez të Politikës së Jashtme, Gunilla Herolf, saktëson se “nëse Rusia do të donte të pushtonte vendet baltike, do të kishte nevojë për Gotland për shkak të vendndodhjes gjeografike. Kjo është arsyeja pse Suedia në të kaluarën e ka lejuar NATO-n të kryejë stërvitje në ishull, duke përfshirë edhe sistemet raketore”.