Shkupi nuk po gjen qetësi.  Nën moton, “Ultimatum, Jo Faleminderit”, protestuesit mbushën rrugët për të katërtën ditë radhazi, kundër propozimit francez për tejkalimin e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes dhe zhbllokimit të procesit të integrimit.

Manifestimi përshkallëzoi shpejt në dhunë, me protestuesit që thyen xhamat e dëmtuan fasadat e qeverisë, parlamentit dhe ministrisë së punëve të jashtme dhe sulmuan policinë me sende të forta, fishekzjarrë dhe koktej molotovi.

Sipas autoriteteve, 47 efektivë kishin mbetur të plagosur, 11 prej të cilëve me plagë të rënda,  ndërsa 11 protestues ishin vënë në pranga.

“Propozimi francez është i papranueshëm për popullin maqedonas pasi është i tmerrshëm dhe ne duhet të luftojmë kundër tij. Edhe nëse qeveria e nënshkruan, prapë nuk do të ndodhë pasi ne nuk dot a respektojmë atë të”, thotë një protestues.

“Propozimi është i papërshtatshëm pasi ne jemi një vend, Maqedonia dhe do të mbetemi të tillë. Nuk ka marrëveshje, as negociata. Ne nuk do të pranojmë pasi ky është një vend biblik dhe ne duam të mbetet i tillë”, shprehet një tjetër.

Protesta, e cila nisi fillimisht para objektit të qeverisë, vazhdoi më tej drejt ministrisë së punëve te jashtme, ku protestuesit hodhën mjete të forta, duke thyer xhamat e përparmë të godinës. Turma që kërkon dorëheqjen e kryeministrit Kovaçevski dhe ministrit Bujar Osmani, i bëri thirrje këtij të fundit që “te mësojë historinë maqedonase”.

Në pankarta emri i ministrit , ishte deformuar në Bugar Osmani. Situata më e tensionuar u shënua përpara Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Një grup protestuesish me maska thyen kordonin e policisë dhe hodhën sende të forta, fishekëzjarre dhe vezë kundër efektivëve.

Policia arriti të shpërndante turmën pas orës 22 e 30 të mbrëmjes. Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski dënoi dhunën që siç tha nuk i ka hije një vendi anëtar të NATO-s e që pretendon t’i bashkohet BE. Ai tha se protestat me maska janë të patolerueshme.