Rusia dëshiron të rivendosë në punë në mënyrë të njëanshme një teleskop satelitor gjerman, të montuar në një anije kozmike ruse. Bëhet fjalë për teleskopin eROSITA, i cili punoi në bashkëpunim me rusin ART-XC për të skanuar galaktikat derisa, pas pushtimit të Ukrainës, Berlini vendosi të pezullojë aktivitetin e teleskopit.

“Kam dhënë udhëzime për të filluar punën për rivendosjen e funksionimit të teleskopit gjerman në sistemin Spektr-RG, në mënyrë që ai të funksionojë së bashku me teleskopin rus”, shpjegoi këtë të shtunë Dmitry Rogozin, drejtor i agjencisë ruse hapësinore Roscosmos.

“Pavarësisht kërkesës së Gjermanisë për të mbyllur një nga dy teleskopët në Spektr-RG, specialistët rusë këmbëngulin të vazhdojnë punën e tyre. Roscosmos do të marrë vendime përkatëse në të ardhmen e afërt. Ata, njerëzit që morën vendimin për të mbyllur teleskopin, nuk kanë të drejtë morale të ndalojnë këtë kërkim për njerëzimin vetëm sepse pikëpamjet e tyre profashiste janë të njëjta me ato të armiqve tanë”, shtoi Rogozin.

Por, vetë ekspertët nuk e shohin rifillimin e punës së këtij teleskopi me sy të mirë. Drejtori i projektit Spekr-RG shpjegoi se nëse synohet rifillimi i teleskopit, është i nevojshëm pëlqimi i Gjermanisë. Përndryshe, pajisja mund të ketë probleme. Roscosmos lançoi eROSITA më 13 korrik 2019, nga Kazakistani. Ndër funksionet e tjera, teleskopi synon të zbulojë vrimat e zeza në galaktikat e afërta. “Kjo është një pajisje e mrekullueshme, e klasit botëror, që tashmë ka ofruar shumë të dhëna”, shpjegon Rashid Sunyaev, mbikëqyrës i projektit.