Imuniteti ndaj Covid-19 nuk zgjat shumë. 6 muaj pasi keni kaluar koronavirusin apo pasi keni kryer  vaksinën, rrezikoheni sërish nga infektimi. Mikrobiologu Andi Koraqi, njëherësh ekspert i Komitetit Teknik, thotë se sipas studimeve të fundit vaksinimi rekomandohet 2 herë në vit për të parandaluar komplikacionet dhe vdekjet.

Edhe pse flitej për fundin e pandemisë, mjekët pohojnë se koronavirusi është i paparashikueshëm. Vala e re e infektimeve në mbarë botën po shkaktohet nga mutacione të reja të Omicron.

Ba5 është bërë dominant në shumë shtete. Me rritjen e menjëhershme të infektimeve ky nënvariant dyshohet të jetë në qarkullim edhe në vendin tonë. Megjithatë, ekspertët thonë se rëndimi i situatës varet nga shtrimet në spitale dhe deri tani shifrat janë të ulëta. Më fillimin e verës dhe të sezonit turistik të gjitha shtetet hoqën masat anti-Covid.

Lëvizja pa kufizime e qytetarëve dhe krijimi i mutacioneve të reja, shkaktoi valën e shtatë të koronavirusit. Sipas parashikimeve të ekspertëve, vjeshta do të shënojë pikun e infektimeve ndaj dhe pak ditë më parë Komiteti Teknik i ekspertëve shpalli emergjencë vaksinimin anti-Covid edhe me dozën e tretë dhe të katërt. /a2