Roger Federer, nga dje, nuk figuron në renditjen ATP. Një gjë e tillë kishte 25 vite që nuk ndodhte, që kur në 22 shtator 1997, në moshën 16-vjeçare, zviceriani hynte zyrtarisht në renditjen e tenistëve.

Tashmë 40-vjeçar, me 20 tituj Grand Slam të fituara në karrierë, Federer ka 0 pikë dhe nuk figuron në renditje. Kjo për faktin se këtë vit nuk ka luajtur asnjë turne. Turneu i fundit ku ka marrë pjesë zviceriani ka qenë Wimbledon i vitit të kaluar, ku u mposht në çerekfinale nga Hurkacz, në 3 sete.

Gjithsesi, Federer nuk e ka zyrtarizuar tërheqjen dhe pritet që të marrë pjesë në turneun e Bazelit këtë vit ose në Laver Cup. Ndërkohë që përpara disa ditësh u premtoi londinezëve se do të kthehet së shpejti në Wimbledon.