Nënçmimi i euros ndaj monedhave të tjera po dëmton eksportuesit e mallrave dhe shërbimeve. Në veçanti, manifaktura, sektor i cili e mbështet konkurrueshmërinë në koston e lirë të shërbimeve të përpunimit aktiv që ofron, po vuan nga kriza e monedhës së “bllokut”.

Për Sekretarin e Përgjithshëm të Prodhuesve, Arben Shkodra, qeveria duhet të ndërhyjë për të mos i lënë prodhuesit dhe eksportuesit të vetëm përballë krizës së euros, që pason krizat e tjera.

Prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve me material porositësi, të njohur ndryshe si fasonët janë zëri i dytë më i rëndësishëm në eksportet shqiptare, me një numër të punësuarit që zyrtarisht i kalon 80 mijë.

Eksportet janë gjithashtu një ndër gjeneruesit kryesorë të rritjes ekonomike. Një tkurrje e mundshme e tyre në kuadër të zhvillimeve, përfshi atë që po ndodh me euron, do të thotë një burim më pak për rritjen e ekonomisë dhe buxhetit të shtetit.