300 milionë euro. Kjo është shifra e operacionit ambicioz për të transferuar Cristiano Ronaldon në Arabinë Saudite. Oferta unike i është propozuar yllit të futbollit për ta bindur që të luajë në një kampionat joprestigjoz, por të shërbejë si ambasador për rritjen e futbollit në këtë vend.

Dhe për ta patur më të lehtë mungesën e Champions League apo të një klubi të madh europian, CR7 do të përfitonte rrogë 250 milionë euro në dy vjet, e përkthyer në 125 milionë euro në sezon. Ky do të ishte një rekord absolut në botën e futbollit.

Për të kompletuar operacionin, Manchester United do të përfitonte 30 milionë euro për kartonin e sulmuesit portugez, teksa menaxheri Jorge Mendes 20 milionë.

Cristiano Ronaldo po kërkon prej disa javësh që të largohet nga “Old Trafford”, pas sezonit zhgënjyes dhe faktit që skuadra nuk arriti të kualifikohej në Champions.

Ai po kërkon një sfidë të re, por në moshën 37-vjeçare, Arabia mund të jetë një opsion i pranueshëm për të përhapur markën e vet me një pagë faraonike. Sipas mediave portugeze, Cristiano e ka refuzuar ofertën e parë, pasi pret ende një mundësi për të luajtur në Champions, ndoshta me Bayern Munchen.

Vetëm nëse negociatat me gjermanët dështojnë, atëherë alternativa arabe do të merrej në konsideratë.