6 ditë afat kanë maturantët për të zgjedhur degët e preferuara për studimet e larta në universitetet publike dhe private. Më 29 korrik, në portalin u-Albania, nisin aplikimet për shkollat e larta.

Drejtori i rrjetit akademik shqiptar, Arjan Xhelaj, shpjegon se çfarë duhet të bëjnë maturantët para se të fillojë aplikimi i formularit A2. “Maturantët duhet të jenë të qetë, të bëjnë zgjedhjet e tyre me kujdes, pasi portali është i hapur në çdo orë”, thotë Xhelaj.

Pas marrëveshjes mes dy qeverive, edhe maturantët e Kosovës këtë vit do të hyjnë në garë njësoj si të gjithë maturantët nga Shqipëria. Por para se të aplikojnë për degët e preferuara në universitetet shqiptare do t’iu duhet t’i nënshtrohen disa procedurave shtesë. “Të gjithë ata që duan të aplikojnë duhet të paraqiten pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore me diplomën përkatëse, do t’u bëhet njohja e diplomës dhe pastaj kanë të drejtë të regjistrohen pranë një gjimnazi, ku bëhet edhe procesi administrativ. Pastaj kanë akses si çdo maturant shqiptar”, thotë Xhelaj.

Ndërsa për ata të rinj që duan të ndjekin degët e mësuesisë, mesatarja mbi 7,5 do të jetë kusht për ta vazhduar masterin, por jo ciklin e parë Bachelor.

Edhe këtë vit në formularin A2, maturantët mund të plotësojnë deri në 10 preferenca për studimet e larta. Sistemi përllogarit fituesit në bazë të rezultateve të maturantëve dhe kritereve të vendosura nga shkollat e larta. Kusht për hyrjen në universitete, publike ose private, nota mesatare duhet të jetë mbi 6,5.