Shkupi është skuadra shqiptare me paraqitjen më pozitive deri tani në Kupat e Europës. Kampionët e Maqedonisë së Veriut kanë bërë surprizën në ndeshjen e parë të fazës së dytë të Champions League, teksa kanë barazuar 2-2 në transfertë ndaj gjigantëve të futbollit kroat, Dinamos së Zabrebit.

Vendasit ishin superiorë në pjesën e parë, por u befasuan nga një gol i realizuar nga Queven në minutën e 25-të. Por festa nuk do të zgjaste shumë për Shkupin, pasi baraspeshën do ta vendoste pikërisht një shqiptar, i cili ishte në anën e kroatëve këtë herë, Arijan Ademi.

Në pjesën e dytë, Zagrebi kaloi në avantazh dhe krijoi idenë se gjithçka tashmë kishte marrë fund, por Shkupi nuk u dorëzua. Në minutën e fundit të kohës së rregullt, xhamaikani Renaldo Cephas shënoi golin e barazimit.

Tashmë gjithçka mbetet e hapur për sfidën e javës së ardhshme në Shkup ku do të përcaktohet skuadra që do të kalojë më tej në kompeticionin më të rëndësishëm në nivel klubesh në Europë.