Një taksist shqiptar që punon në Gjermani udhëtoi 120 kilometra për t’i kthyer portierit të Bayern Munchen, Manuel Neuer, portofolin, por në këmbim mori vetëm një buzëqeshje dhe një fanellë me autograf.

Hazir Stublla, i cili punon në Mynih si taksist, tha për mediat gjermane “Bild” dhe “Sky.de” se pasi kishte shoqëruar Neuer dhe një mik të tij me taksi, kishte parë që portieri gjerman kishte harruar në makinë portofolin me 800 euro brenda dhe dokumentet e identifikimit. Stublla thotë se nuk i preku paratë, madje harxhoi edhe 400 euro karburant për t’i dërguar portofolin kampionit të botës në rezidencën e tij në Tegernsee, Bavari.

Por si shpërblim, dy javë më vonë, ai mori një fanellë me autografin e portierit. “Kam katër fëmijë, nuk kam çfarë të bëj me një bluzë”, tha Stublla për “Sky.de”.

Sipas ligjeve në Gjermani, gjithkujt që kthen një send të humbur me vlerë deri në 500 euro, i takon të marrë 5% të vlerës, si dhe 3% për çdo pasuri që vlen më tepër. Në rastin e Stubllës, i takonte të merrte të paktën 34 euro, ndërsa fanella që Neuer i dhuroi kushton të paktën 100 euro.