Nëse iu pëlqen të jetoni në mes të oqeanit, tani mundeni. Një fortesë e Luftës II Botërore, është privatizuar dhe nxjerrë në shitje nga qeveria britanike për vetëm 60 mijë dollarë.

E vendosur në grykëderdhjen e lumenjve Ouse dhe Trent në verilindje të Anglisë, ishulli prej betoni është ndërtuar në vitet 1915-1919, por u përdor gjerësisht vetëm në Luftën II Botërore.

E konsideruar si një ndërtim historik, prona është e klasifikuar si një godinë e “shkallës së dytë” nga qeveria britanike, që do të thotë se është “e rëndësisë së veçantë dhe duhet ruajtur”.

Por kjo nuk ka penguar që fortesa të nxirret në shitje. Ajo ka një shtresë mbrojtëse 30 centimetra të trashë, si dhe një bazë armatimesh të rënda me një garnizon me kapacitet për 200 ushtarë. Por armët dhe municionet nuk do të mund t’i gjeni më aty, pasi janë hequr nga qeveria në vitin 1956.

Godina lundruese është e ndarë në tre kate, njëri prej të cilëve nën nivelin e detit. Gjithashtu ka një kullë vrojtimi dhe një ballkon. Ndërsa uji i pijshëm sigurohet përmes një pusi të ndërtuar në mënyrë artizanale.