Një konflikt për menaxhimin e plazheve ka ndodhur mesditën e sotme në afërsi të tunelit në “Ujin e Ftohtë”, ku për pasojë njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri në ajër për të trembur një roje parkimi. Mësohet se dy personat e përfshirë në konflikt kanë në administrim plazhet pranë njëri tjetrit.

Fatmirësisht nga verifikimet e kryera nga shërbimet e  Policisë, nuk ka persona të dëmtuar.

Janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për kapjen e autorit, i cili është identifikuar nga Policia menjëherë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë në konflikt.

Ky konflikt vjen vetëm pak javë pasi dy vëllezër u konfliktuan me njëri-tjetrin në zonën e plazhit në Radhimë të Vlorës.