Ilir Meta la të kuptohet se shpallja non grata e Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, nuk do ta pengojë që të bashkëpunojë me të në aksionin opozitar.

“Unë respektoj vullnetin e çdo froce politike dhe mbështetem në parime. Se cili është problemi që është marrë një akt i tillë, kjo është çështje e tyre dhe asgjë më shumë për mua. Në rast se një qytetar shqiptar, Sali Berisha, Ilir Meta, ka shkelur ligjet e SHBA kemi marrëveshje ekstradimi me SHBA, dhe kam pasur kënaqësinë ta firmos vetë”, tha Meta në një konferencë për mediat, nga selia e Partisë së Lirisë.

“Një gjë është e sigurt për mua, që Sali Berisha nuk ka shkelur asnjë ligj të Shteteve të Bashkuara. Ashtu sikur ju e dini që “gruaje e Bilalit” ka shkelur ligjet e SHBA”, shtoi Meta, duke iu kthyer akuzave ndaj Kryeministrit Rama, për pjesëmarrje të paligjshme në një tubim politik në SHBA, gjatë fushatës presidenciale të ish-presidentit Barack Obama.