Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, bëri të ditur se në mbledhjen e qeverisë të kësaj të premteje është miratuar një fond shtesë prej 1,2 miliardë lekësh për skemën kombëtare për vitin 2022.

Ministrja theksoi se kush do të mbjellë mbi një hektar grurë do të marrë një mbështetje nga qeveria prej 30 mijë lekësh.

“Bujqësia në këtë mbledhje ka miratuar një vendim shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me rritjen e masës së financimit të skemës kombëtare për vitin 2022. Kemi miratuar sot një fond prej 1,2 miliardë lekë që i shtohet buxhetit, duke e shtuar atë në 4,9 milionë lekë. Ky është buxheti më i madh i vënë ndonjëherë në dispozicion.

Kemi pasur një vit të mbarë të prodhimit të grurit, gati historik. Hambarët janë mbushur plotë, rreth 225 mijë tonë grurë. Gjithsesi duke parë edhe fenomenet në botë, ne kemi menduar të fusim një masë të posaçme. Fermerët që prodhojnë mbi 1 hektar grurë do të marrin një mbështetje 30 mijë lekë të reja për hektarë”, tha ministrja e Bujqësisë.