Dy avionë grekë ndihmuan ekipin shqiptar të Mbrojtjes Civile në izolimin e flakëve në Bashkinë e Dropullit, pasi vatra më e madhe e zjarrit ndodhet në fshatin Goranxi të kësaj bashkie.

Ndërkaq, edhe një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes është ngritur në fluturim dhe me ndërhyrjen nga ajri dhe toka është bërë e mundur mbajtja jashtë rrezikut e banesave dhe banorëve.

Ndërkaq, deri në mesditën e kësaj të diele ishin aktive edhe dy vatra të tjera zjarri, në fshatin Bogë të Malësisë së Madhe dhe në fshatin Rehovë të Poliçanit.

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile raporton se deri mesditën e kësaj të diele ishin raportuar 11 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 8 janë shuar. U angazhuan 255 forca operacionale nga Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, shërbimi pyjor, forca vullnetare si dhe 28 mjete zjarrfikëse dhe mjete të tjera operative.