Fundi i korrikut dhe fillimi i muajit gusht ka shtuar ndjeshëm fluksin e personave që futen në vendin tonë nëpërmjet rrugëve tokësore dhe detare.

Nga një vëzhgim i kryer në ditën e parë të muajit gusht, në Kapshticë rezulton se çdo ditë futen minimalisht mbi 4200 persona nga Greqia. Shumica janë emigrantë që kthehen në atdhe për të takuar familjarët dhe për pushime.

Deri më tani pavarësisht fluksit në rritje nuk janë shënuar radhë apo pritje të gjata.

Ndërkohë rritje ka patur edhe numri i personave që janë futur në vendin tonë nga Qafë Thana, e cila përpunon mesatarisht mbi 3100 persona në ditë. Ndërkohë vijon në rritje fluksi i personave që vijnë nëpërmjet linjave detare në portin e Durrësit.

Vetëm mëngjesin e kësaj të hëne me katër tragetet e mbërritura nga Bari dhe Ankona janë futur në vendin tonë 4700 persona.

Në dispozicion të përpunimit të pasagjerëve janë 26 sportele, 16 për automjetet dhe 10 për individët. Ndërkohë që gjatë muajit korrik vetem nga porti i Durrësit janë futur në vendin tonë 84.540 persona.