Njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) Zubin Potok, është sulmuar me armë zjarri, ndërsa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:25, të ditës së sotme. Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë. Sipas policisë, kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri.

“Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar”, njoftoi policia.

Në asistencë të njësisë policore ka shkuar Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare.

Policia thotë se po vazhdon të vëzhgojë terrenin dhe ta trajtojë rastin.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë dhe luftimin e kriminalitetit e me theks të veçantë të kontrabandës në atë zonë”, përfundon njoftimi.