Ulet konsumi i karburanteve në korrik dhe gusht.

Sipas të dhënave nga Doganat, në korrik u importuan 53.4 mijë ton karburante, me një rënie prej 11% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, duke zbritur pothuajse në nivelin e vitit 2020, kur vendi po vuante nga pasojat e kufizimeve për shkak të pandemisë (shiko grafikun: Importet e karburanteve, korrik).

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve pohon se përgjithësisht në këtë periudhë pritej që importet të rriteshin edhe me 2 mijë ton (rreth 3-5% më shumë), por ato kanë rënë realisht me gati 7 mijë ton.

Sipas Shoqatës, arsyeja kryesore e rënies së konsumit të karburanteve në vend lidhet me makinat që vijnë nga rajoni për turizëm, të cilët ishin një nga faktorët kryesorë që ndikonin rritjen në sezonin e verës. Tashmë për shkak të diferencës së lartë në çmim, me rreth 30-60 lekë për litër, asnjë makinë me targa nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo Malit të Zi nuk iu afrohet stacioneve shqiptare të karburanteve.

Ndërsa makinat e rajonit kanë ndikuar në 60% të rënies, pjesa tjetër sipas Shoqatës lidhet me frenimin e lëvizjeve të brendshme për qëllime turistike, apo që kanë reduktuar qarkullimin për shka të çmimeve të larta. Ndërsa konsumi i përhershëm minimal, sipas Shoqatës është në nivele pothuajse të pandryshuara.

Sipas të dhënave paraprake nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, tendenca e ditëve të para të gushtit tregon se rënia do të thellohet.