Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump deklaroi së fundmi se kishte refuzuar t’iu përgjigjej pyetjeve të Prokurores së Përgjithshëm të Nju Jorkut, Letitia James në një hetim civil mbi praktikat e biznesit të familjes së tij.

“Refuzova t’u përgjigjem pyetjeve, në bazë të të drejtave dhe privilegjeve që gëzon çdo qytetar sipas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara,” tha zoti Trump duke iu referuar Amendamentit të Pestë të Kushtetutës, sipas së cilit qytetarët kanë të drejtën të mos dëshmojnë për të shmangur vetëfajësimin.

Sipas Zërit të Amerikës, Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James po heton nëse ish-presidenti ka zmadhuar vlerat e pasurive të paluajtshme të kompanisë së tij duke mashtruar huadhënësit dhe autoritetet tatimore, për të përfituar financiarisht.

Ish-presidenti mbërriti në zyrat e Prokurores së Përgjithshme me një autokolonë dhe pas një ore njoftoi se kishte refuzuar të dëshmonte.

Vendimi i zotit Trump vjen vetëm dy ditë pasi agjentët e FBI-së kontrolluan rezidencën e tij në Mar-a-Lago të Floridas, si pjesë e një hetimi tjetër federal lidhur me të dhëna të klasifikuara sekret që ai mund t’i ketë marrë me vete kur u largua nga Shtëpia e Bardhë.